UBT News

Alonso: Milani është vetë historia e Championsit, por ne jemi gati

Trajneri i Bayer Leverkusenit, Xabi Alonso, ka dhënë një konferencë për shtyp për ndeshjen e nesërme në UEFA Champions League, ku ekipi i tij do të përballet me Milanin në “Bay Arena”. Alonso theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe cilësitë e kundërshtarit.

“Ne do të përballemi me një ekip të madh, me lojtarë me cilësi individuale,” tha ai, duke nënvizuar se ekipi i tij do të ketë nevojë për një paraqitje të shkëlqyer për të arritur suksesin. Nuk kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur, por ndonjëherë është mirë që të jemi në këtë situatë,” shtoi ai.

Alonso u shpreh se ekipi ka një plan loje të qartë, por pranoi se çdo gjë mund të ndodhë gjatë ndeshjes. Ai përmendi se Milani është veçanërisht i fortë në kundërsulme dhe se duhet të jenë të përqendruar gjatë gjithë takimit.

Më tej, ai vlerësoi lojtarët e Milanit, veçanërisht Moratën dhe Pulisic, duke e përshkruar Moratën si një lojtar të pjekur dhe konkurrues, ndërsa e konsideroi Pulisic-in si një element kyç për ekipin italian.

Alonso gjithashtu u ndal te përvoja e tij personale me Milanin, duke kujtuar finalen e famshme të Champions League në vitin 2005, e cila ishte thelbësore për karrierën e tij. Ai e quajti Milanin si “historinë e Championsit” dhe theksoi se është një nder për ekipin e tij të përballet me ta.

Në fund, trajneri theksoi vështirësitë që sjellin ekipet italiane, duke nënvizuar nevojën për durim dhe një strategji të qartë për të menaxhuar posedimin e topit. “Ne duam të jemi protagonistë,” përfundoi Alonso, duke shprehur besimin e tij në ekipin e tij për ndeshjen e nesërme./UBTNews/

 

 

Exit mobile version