Juventusi po përgatitet për tu përballur me Lazion, ndeshje kjo e cila është e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Italisë.
“Zonja e Vjetër” momentalisht gjendet në një periudhë krize, pas heqjes së 15 pikëve dhe humbjes së fundit nga Monza në Serie A.
Ka shpresë të madhe që Juventusi të rikuperohet nga këto momente, duke filluar me ndeshjen ndaj Lazios, në të cilën e kërkon me çdo kusht fitoren për të vazhduar në gjysmëfinale kundër Interit.
Allegri foli në një konferencë për media në prag të ndeshjes me Lazion, ku edhe konfirmoi se Paul Pogba ka pësuar një lëndim të ri.
“Është një lojë e vetme, do të luhet sipas rregullave të lojës së vetme. Lojtarët që duhet të pushojnë? Jo, nuk kemi luajtur shumë ndeshje. Nuk kam vendosur ende asgjë për nesër, më duhet të bëj disa vlerësime nesër në mëngjes. Përveç lëndimit afatgjatë të Bonuccit, Pogba nuk do të jetë aty për shkak të dhimbjes në muskulin e tij. Pas një lëndimi afatgjatë, dhimbjet vijnë dhe duhet kohë. Ndoshta pas disa javësh Vlahovic do të jetë në gjendje të mirë? Ai duhet të luajë që në fillim”, tha Allegri.