Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se s’ka informacion zyrtar se Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet në lidhje me çështjen e ambalazhuesve të ujit.
Aliu pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën ritheksoi se ai do të jetë në bashkëpunim të ligjit, derisa u shpreh më i rezervuar për të komentuar rolin e tij për rastin e ambalazhuesit e ujit.
“Unë nuk kam asnjë informacion zyrtar, i tërë informacioni që e kemi marrë ka qenë nga mediat që kemi has që ka zgjerim të hetimeve në të cilën jam i përfshirë edhe unë. Me ç’rast pa pasur një qëndrim zyrtar nuk mund të deklaroj më tepër se sa atë që e kam deklaruar përmes Facebook, ku e shpreh gatishmërinë time të plotë të jem në bashkëpunim të zbatimit të ligjit dhe të vendosjes së drejtësisë së plotë. Pra, jam në dispozicion të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit pa asnjë lloj hezitimi…Informacion që e kam marrë nga mediat, dhe potencialisht nga ai informacion që kam, po konsideroj se mbase mund të jem pjesë e hetimit, por zyrtarisht nuk jam. Momentin që do të kemi sqarim të plotë dhe mundësia do të deklaroj. Në këtë situatë derisa ka hetim për mua, dhe zyrtarisht nuk kam, nuk e di cili do të duhej të ishte pozicionimi im në deklarimin tim sepse mund të ndikohet gjithsesi. Nuk mund të deklaroj pa u sqaruar kjo çështje”, ka deklaruar Aliu.
Aliu ka folur edhe për sistemin e rimbursimit të shisheve të plastikës, për çfarë tha se është hapur thirrja për administrator, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet të përfundojë i gjithë procesi. Ndonëse ka theksuar se si proces nuk është i lehtë.
“Po është hap thirrja, dhe jemi drejt krijimit të administratorit, që në këtë rast është më shumë si lehtësuese e procesit. I tërë procesi i sistemit të rimbursimit të shisheve, mbeturinave është një sistem i cili do të menaxhohet, realizohet nga vet ata që i shkaktojnë, edhe prodhuesit shitësit, importuesit e shisheve. Do të menaxhojnë vet kundrejt, për ta lehtësuar komplet trajtimin, riciklimin e këtyre mbeturinave. Si proces është duke shkuar me hapa të vet që është paraparë, ka pas sfidat e veta, nuk është proces i lehtë, por, që jemi mjaft të vendosur të shtymë përpara, nuk mund të them ndonjë datë”, tha Aliu.
Ndërkaq, sa i përket veturave elektrike, Aliu tha se në këtë politikë synojnë që në vend të ketë sistem të organizuar mirë të mbushësve elektrik, të cilët sipas tij, do të jenë me solar.
“Me ligjin e ri, duhet të kemi parasysh që shpesh herë, idetë që vinë nga Ministria e Mjedisit, janë ide të cilat kërkojnë medoemos të kemi politika sa më të gjelbra. Nga ana tjetër kemi gjithmonë kërkesa edhe nga grupet e ndryshme të interesit që të ketë sa më tepër lirim tek makinat që bien ndesh dy politikat. Sidoqoftë në këtë politikë synojmë t’i liberalizojmë maksimalisht politika, drejtë veturave elektrike dhe hibride. Po synojmë që të kemi sistem të organizuar mirë të mbushëseve elektrik, të cilët kryesisht do të jenë edhe me solar, qoftë në pikat e autostradës, apo në hapësirat publike, e në veçanti edhe në zonat e banimit”, tha Aliu.
Në anën tjetër sa i përket autostradës së Gjilanit dhe rrugën për Gjakovë, Aliu ka thënë se janë projekte me probleme, porse, ka thënë se ka progres të madh në këtë drejtim.
“Kur flasim për autostradën e Gjilanit dhe për rrugën Gjakovë, janë dy projekte për të cilat hezitoj dhe përtojë të flasë, sepse kemi pengesa të vazhdueshme dhe kemi pas zvarritje të vazhdueshme të këtyre projekteve. Nuk përtoj me fole për rrugët të cilat janë duke shkuar me trendë mjaft të shpejta. Këto dy projekte janë projekte të trashëguara me probleme dhe të kontraktuara qysh atëherë, por ka një progres mjaft të madh, sidomos tek autostrada e Gjilanit me krahasim me atë të Gjakovës. Nuk mund të jap datë”, nënvizon Aliu.
Ndërsa i pyetur për Kartonin e Gjelbër, ministri Aliu tha se nuk ka informacione se ku ka arrit kjo çështje, porse është zotuar se do të jap këtë informacion pasi të informohet saktë.