UBT News

Alisson, heroi i Liverpoolit ndaj PSG-së

Liverpooli siguroi një fitore të artë 1-0 në “Parc des Princes” ndaj PSG-së, falë një performance të jashtëzakonshme nga portieri brazilian, Alisson Becker.

Edhe pse goli i vetëm i takimit u shënua nga Harvey Elliott, protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Alissoni, i cili regjistroi 9 pritje vendimtare, duke ndalur çdo tentativë të parizienëve dhe duke siguruar një fitore historike për “The Reds”.

Vetë gardiani i Liverpoolit e përshkroi këtë ndeshje si ndoshta më të mirën e karrierës së tij:

“Ndoshta ishte paraqitja më e mirë e jetës sime,” tha ai për “TNT Sports”. “Trajneri na paralajmëroi se do të ishte një sfidë e vështirë, ndaj PSG-së dhe lojtarëve të saj të jashtëzakonshëm me topin. E dinim çfarë na priste dhe ishim të përgatitur për të vuajtur. Ishte një natë e shkëlqyer për ne”.

Statistikat tregojnë dominimin e PSG-së, me plot 27 goditje drejt portës, por falë mrekullive të Alissonit, asnjë nuk e gjeti rrjetën. Liverpooli, në anën tjetër, pati vetëm dy gjuajtje në portë, por doli fitues nga përballja.

Me këtë rezultat, Liverpooli do të ketë një avantazh minimal për ndeshjen e kthimit në “Anfield”, ku synon të mbyllë kualifikimin për çerekfinale./UBTNews/

Exit mobile version