UBT News

Alfabeti që bashkoi kombin: 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë, një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe kulturore për kombin shqiptar.

Kjo ditë, tashmë festë zyrtare, ka një simbolikë të thellë, pasi përkujtohet një moment kyç i unitetit kombëtar – Kongresi i Manastirit, që u zhvillua nga data 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908. Ky kongres, i mbledhur në qytetin e Manastirit, ishte një ngjarje vendimtare për formimin dhe standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, një hap i domosdoshëm për forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve.

Nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, Shqipëria ka shpallur këtë ditë si festë kombëtare, duke e njohur atë si një ngjarje historike me peshë të veçantë. Kuvendi i Shqipërisë e miratoi këtë nismë në shkurt të këtij viti, pas diskutimeve dhe propozimeve nga samiti i diasporës, dhe për herë të parë kjo ditë po kremtohet si festë zyrtare. Kjo iniciativë, që vjen si rezultat i një debati të gjërë kombëtar dhe ndërkombëtar, thekson rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës shqipe si një nga shtyllat kryesore të identitetit shqiptar.

Kongresi i Manastirit, që mori vendime të rëndësishme për unifikimin e alfabetit shqip, u mbajt në një periudhë kritike për shqiptarët, në një kohë kur populli shqiptar ishte i shpërndarë në disa shtete të ndryshme dhe shumë prej tyre ishin të ndarë nga njëra-tjetra edhe në aspektin gjuhësor.

Ky kongres, i zhvilluar me pjesëmarrjen e 50 delegatëve nga 26 qytete të ndryshme të trojeve shqiptare, miratoi alfabetin latin me disa ndryshime, duke e përshtatur atë për gjuhën shqipe. Mid’hat Frashëri, si kryetar, dhe Luigj Gurakuqi e Gjergji Qiriazi, si nënkryetarë, udhëhoqën këtë ngjarje historike, ku Parashqevi Qiriazi ishte e vetmja grua pjesëmarrëse. Kongresi i Manastirit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të shqiptarëve, dhe si rezultat i tij, më 28 nëntor 1912, Shqipëria shpalli pavarësinë./UBTNews/

Exit mobile version