Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale lidhur me 17 vendime të miratuara nga Qeveria në detyrë, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Pas dorëzimit të kallëzimit, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se këto vendime, sipas vlerësimit të subjektit dhe juristëve të tij, janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
Sipas Tahirit, vendimet janë marrë më 12 gusht dhe përfshijnë emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë në agjenci qeveritare, si dhe në një rast për përzgjedhjen e një sekretari të përgjithshëm.
Ai ka argumentuar se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për ndërmarrjen e veprimeve të tilla.
Ndër vendimet e miratuara më 12 gusht janë edhe ato për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.
Qeveria në detyrë ka miratuar gjithashtu komisione për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtor ekzekutiv në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë, në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, si dhe për drejtor të përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Për këto vendime shqetësime kanë shprehur edhe organizata të shoqërisë civile. Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Neni 72 i Kushtetutës, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë dhe një aktgjykim i Gjykatës Supreme lidhen me kufizimet për ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe anëtarit të Qeverisë./A.K/
