UBT News

Albulena Haxhiu dekreton Zejnulla Gashin Kryeprokuror të Shtetit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnulla Gashin në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Haxhiu bëri të ditur se, pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga KPK-ja, është zhvilluar një shqyrtim i detajuar i materialeve, duke përfshirë edhe informacionet e institucioneve të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.

“Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo i uroi Gashit suksese në detyrën e re, duke theksuar se funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.

Sipas saj, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit duhet të marrë përgjigje të vendosur nga organi i akuzës.

Haxhiu shtoi se pret që Gashi ta ushtrojë detyrën me integritet profesional e moral, paanshmëri dhe guxim, duke vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Zejnulla Gashi u propozua një ditë më parë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, pasi mori pesë nga gjashtë votat e anëtarëve të Këshillit. Ai pason në këtë detyrë Blerim Isufajn./A.K/

Exit mobile version