Futbollisti i FC Ballkanit, Albion Rrahmani është zgjedhur “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit.
Sulmuesi i portokallezinjve ka qenë protagonist i kësaj jave, ngase shënoi tri gola në fitoren që skuadra e tij e realizoi si mysafire kundër Malishevës (4:2).
Rrahmani u shpreh i lumtur dhe premtoi se do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në të ardhmen.
“Për mua është hera e parë që shpallem ‘Ylli i Javës’ dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Të shpërblehesh si më i miri i xhiros është një motiv shtesë për të vazhduar punën dhe për të synuar ende më shumë. Gjithsesi ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik për çka i falënderoj shumë”, ka theksuar Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai tutje ka folur edhe për objektivat e portokallezinjve në këtë edicion.
“Ballkanin këtë edicion e shoh sërish kampion të Kosovës. Rruga për ta mbrojtur titullin nuk do të jetë e lehtë por ne do të punojmë maksimalisht dhe do t’i marrim ndeshjet radhazi. Besoj që me këtë grup të lojtarëve, me përkushtimin e shtabit teknik dhe organizimin e mirë të klubit, do ta përsërisimin suksesin e vitit të kaluar”, ka shtuar ai./UBTNews/