Albion Rrahmani, futbollisti kosovar i Rapid Bukureshtit, është bërë objektiv i disa klubeve të njohura evropiane falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera në Rumani këtë edicion.
Interes për Rrahmanin kanë shfaqur edhe klube nga Britania e Madhe, konkretisht nga Skocia. Glasgow Rangers janë të interesuar për transferimin e tij dhe drejtori i futbollit i Rangers, Nils Koppen, pritet të takohet me KT Management, agjencinë që e përfaqëson futbollistin.
Rrahmani, 23 vjeç, pritet të shitet nga klubi rumun gjatë verës së ardhshme, dhe destinacioni i tij mund të jetë Skocia me Rangers, që mund të ofrojë një ofertë të kënaqshme.
Përveç Rangers, interes për Rrahmanin ka shfaqur edhe klubi çek, Slavia Praga, që ofron 3 milionë euro për kartonin e tij. Klube të tjera të interesuara përfshijnë Aston Villën, Napolin, Benficën, Dinamo Zagrebin, Ludogoretsin dhe Ferencvarosin.
Në sezonin 2023/24, Rrahmani ka realizuar 19 gola dhe ka dhënë pesë asistime, duke përfshirë 13 gola në Superligën rumune, katër në fazën e Play-offit dhe dy në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës./UBTNews/