Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall , pas çdo xhiroje do të shpallin “Yllin e Javës”.
Vlerësimi do të bëhet nga Komisioni treanëtarësh nga Liga e Veteranëve të Futbollit të Kosovës.
Këtë javë komisioni në përbërje: Shyqeri Salihu nga KFV Lipjani, Bujar Asllani nga KFV Ferizaj dhe Zenel Shabani nga KFV Vjosa vendosen unanimisht që ky çmim t’i takojë futbollistit të KF Trepça ’89 FC , Albion Pllana.
Kësisoj, për herë të dytë radhazi çmimi ‘Ylli i Javës’ shkon te skuadra mitrovicase, pasi në javën e parë epitetin e më të mirit e fitoi sulmuesi nigerian Christian Mba.
Albion Pllana hyri në lojë si zëvendësues në ndeshjen kundër Llapit në “Zahir Pajaziti” dhe arriti të shënojë dy gola, duke qenë më i merituari që Trepça’89 arkëtoi pikën e dytë në këtë edicion, një vit pas rikthimit në elitë.
Ai shënoi golin e parë në minutën e 74-të me gjuajtje me kokë dhe të dytin në minutën e 80-të nga afërsia pas asistimit nga Mba. Përveç golave të shënuar, Komisioni vlerësoi se Pllana pati paraqitje të mirë gjatë tërë minutave që kishte në dispozicion.
Pas marrjes së këtij çmimi, Pllana u shpreh i lumtur për vlerësimin si dhe për faktin që golat e tij i dhanë skuadrës së tij një pikë.
“Ky shpërblim për mua është shumë domethënës. I falënderoj ata që e vlerësuan paraqitjen time, si dhe shokët e ekipit dhe trajnerët për angazhimin dhe punën që po e bëjmë në çdo ndeshje. Trepçën’89 e shoh sa më lart këtë vit, pasi kemi ekip shumë të mirë dhe të gjithë djemtë luajnë me përkushtim të madh”, ka theksuar Pllana.