Alarmi për bombë në aeroplanin e linjës Romë-Prishtinë ka rezultuar të jetë i rrejshëm. Kështu kanë deklaruar zyrtarë policorë, të cilët thanë se është kontrolluar aeroplani si dhe të gjitha bagazhet e udhëtarëve.
Kërcënimi për bombë ishte dhënë gjatë kohës sa aeroplani ka qenë në fluturim duke krijuar shqetësim tek udhëtarët, mirëpo zyrtarët policorë thanë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe tashmë gjithçka është në rregull.
“Sonte rreth orës 22:00 kemi pranuar një informacion për një kërcënim me bombë në fluturimin nga Roma për Prishtinë. Menjëherë jemi përgjigjur me të gjitha njësitet relevante. Pasagjerët janë evakuuar dhe janë kontrolluar avioni, bagazhet, nuk ka dalë asgjë. Është alarm fals. Shumë shpejtë pritet dorëzimi bagazhit te udhëtarët, nuk ka asgjë”, deklaroi mbrëmë shefi i Policisë së Aeroportit, Shpend Maliqi.
Sipas të njëjtit, në aeroplan ndodheshin rreth 200 udhëtarë.
Për shkak të këtij alarmi nuk ka pasur vonesa në fluturimet e tjera ndërsa tashmë Aeroporti i Prishtinës i është kthyer normalitetit.