UBT News

Akuza për spiunazh, Jelena Gjukanoviq mohon fajësinë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj Jelena Gjukanoviqit, e cila po akuzohet për spiunazh nga Prokuroria Speciale. Sipas prokurorisë, Gjukanoviq në cilësinë e zyrtares vendore të Misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, me vetëdije të plotë ka kryer veprime duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA).

Para trupit gjykues, Gjukanoviq nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që i ngarkohen.

“Nuk e pranoj fajësinë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, prokurori Bekim Kodraliu ka prezantuar aktakuzën e ngritur ndaj saj.

“Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, deri në momentin e arrestimit të saj, me datë 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares vendore të Misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën ‘Zyrtare e Programit Kombëtar në Zyrën Rajonale në Mitrovicë’, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, Agjentit Rezident të BIA-së, Aleksandër Vllaiq, të cilit i ka përcjellë informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat informacione pastaj janë transmetuar tek zyrtarë të lartë të BIA-s, përkatësisht përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari tjetër, ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në zyrat e BIA-së në Beograd. Gjithashtu, e pandehura përmes influencimit dhe ndikimit të saj, nga pozita që mbante në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuar për spiunazh Aleksandër Vllaiq dhe zyrtarët e BIA-së, e njëjta gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armigësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës, çka përmes këtyre veprimeve, të qëllimshme, e pandehura, ka cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit, si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë”, tha ai./S.K/EO/

Exit mobile version