UBT News

Aktorja indiane then heshtjen për sulmin seksual

Bhavana Menon, një aktore e famshme nga shteti jugor indian i Kerala, e cila u rrëmbye dhe u sulmua seksualisht në vitin 2017, theu heshtjen pas pesë vitesh, duke e përshkruar “rrugëtimin e saj të vështirë nga të qenit viktimë në një të mbijetuar”.

Menon, e cila ka punuar në më shumë se 80 filma në gjuhët indiane jugore dhe ka fituar një numër çmimesh prestigjioze, u sulmua nga një grup burrash ndërsa udhëtonte nga Thrissur në Kochi në shkurt të vitit 2017.

Sulmi i saj bëri bujë, veçanërisht pasi Dileep, një nga kineastët më të shquar malajalam, është i pandehur dhe po akuzohet për sulm seksual. Ai i mohoi akuzat, por ishte në paraburgim për tre muaj para se të lirohej. Çështja po shqyrtohet në gjykatë.

“Isha një vajzë normale, dhe pastaj ky incident ndodhi dhe ma ktheu jetën përmbys. Shumica e njerëzve shohin fotot e buzëqeshura që postoj në rrjetet sociale, por unë jam përballur me ferrin”, deklaroi ajo mes tjerash.

“U bëra viktimë, “aktorja e sulmuar”. Dhe për shumë kohë vazhdoja ta pyesja veten, “Pse unë?”, e fajësoja veten dhe kërkoja një rrugëdalje”, deklaroi ajo.

“Por në vitin 2020, pasi filloi gjyqi, kalova 15 ditë duke dhënë dëshmi në gjykatë. Dhe atëherë gjërat ndryshuan. Doja ta harroja dhe të vazhdoja, por më pas m’u desh të kujtoja gjithçka, çdo detaj të vogël të çështjes”, deklaroi ajo tutje.

Në ditën e sulmit, Menon po udhëtonte nga vendlindja e saj Thrissur për në qytetin e Kochit, ku do të dublonte për një film ditën e nesërme, kur u rrëmbye. Sulmuesit i bënë një video të sulmit, “ndoshta donin të më shantazhonin”, tha ajo.

Duke marrë parasysh statusin e saj – dhe të Dileep-it, personazhit të famshëm, rasti mori vëmendje të madhe mediatike në këtë rast dhe në çdo ditë të caktuar, kanalet lokale të lajmeve ftuan panelistët të flisnin pro dhe kundër saj./UBTNews/

Exit mobile version