UBT News

Aktorja e njohur do të padisë The Economist pasi gazeta përdori një fotografi ku ajo dukej “mbipeshë”

Një aktore e njohur irakiane thotë se po padit gazetën The Economist për përdorimin e një fotografie të saj për të ilustruar një artikull sipas të cilit, gratë arabe janë “më të trasha” se burrat.

Enas Taleb tha se imazhi është përdorur jashtë kontekstit pa lejen e saj dhe ka shkelur privatësinë e saj. Ajo gjithashtu pretendoi se fotografia e saj ishte e edituar.

Aktorja dhe drejtuesja e njohur e talk show-t tha në një intervistë se ka nisur veprimet ligjore në Britaninë e Madhe.

Artikulli, i titulluar “Why Women Are Fatter Than Men in the Arab World”, u botua në fund të korrikut, duke përdorur një foto të zonjës Taleb të bërë nëntë muaj më parë në Festivalin Ndërkombëtar të Babilonisë në Irak.

Artikulli argumenton se varfëria dhe kufizimet shoqërore që i mbajnë gratë në shtëpi janë ndër arsyet pse më shumë gra arabe sesa burra janë mbipeshë.

Zonja Taleb e cilësoi artikullin një “fyerje ndaj gruas arabe në përgjithësi dhe grave irakiane në veçanti”, duke shtuar se pse gazeta“interesohet për gratë mbipeshë në botën arabe dhe jo në Evropë apo SHBA”.

Duke folur për TV al-Arabiya, ajo tha se ishte përballur me “komente ngacmuese” në mediat sociale.

Ajo gjithashtu tha për revistën New Lines se ishte e shëndetshme dhe e lumtur me mënyrën se si duket.

Taleb është ndër aktoret më të njohura të Irakut dhe ka nëntë milionë ndjekës në Instagram.

Artikulli i The Economist u përball gjithashtu me kritika në mediat sociale, duke e akuzuar atë si “racist”, “seksist” dhe “turpërues”./UBTNews/

Exit mobile version