Një gjykatë amerikane urdhëroi aktorin Kevin Spacey t’ia paguajë 31 milionë dollarë prodhuesve të serialit “House of Cards” për shkak të humbjeve financiare që i ka shkaktuar shkarkimi i tij nga puna, si pasojë e akuzave për ngacmim seksual.
MRC, kompania prodhuese e serialit të famshëm të Netflixit, thotë se nga hetimi rezultoi se Spacey ka thyer rregullat gjatë realizimit të serialit.
Aktori u përball me akuza për ngacmim seksual që nga viti 2017. Ai i ka hedhur poshtë akuzat.
Spacey, 62-vjeçar, humbi rolin e tij kryesor si një politikan dashamirës në serialin “House of Cards” dhe ka një profil relativisht të ulët që kur u akuzua për krijimin e një mjedisi “toksik” pune gjatë xhirimeve, duke bërë komente të vrazhda dhe duke prekur punonjësit e rinj pa pëlqimin e tyre.
Ai ishte një nga figurat e para të mëdha të Hollivudit që u akuzua publikisht për sjellje të pahijshme pas skandalit të producentit Harvey Weinstein, dhe pasi lëvizja #MeToo mori hov./UBTNews