Ylli i “Squid Game”, Lee Jung-jae e di se fansat e serialit korean mezi po presin një sezon të dytë. Ndonëse Netflix ende nuk e dha dritën jeshile për sezonin e dytë, Lee i tha revistës People se priten episoda të reja, marrë parasysh suksesin e serialit dhe fundin e hapur të sezonit të parë.
“Sezoni i dytë është i pashmangshëm në njëfarë mënyre. Më kujtohet kur ishim në xhirime, e pyeta regjisorin nëse do të ketë sezon të dytë, dhe ai më tha: “Nuk e besoj. Do të jetë e vështirë”. Por nuk mund ta bëjmë vetëm një, sepse kemi marrë aq shumë dashuri rreth botës”, deklaroi ai.
Përderisa Lee thotë se krijuesi i serialit vetëm sa ka filluar me planifikim rreth asaj se çka do të ndodhë tutje – Hwang tha në një intervistë se “është në bisedime” me Netflixin për dy sezone tjera. Ylli i serialit shpreson se skenari i serialit do t’ia zgjojë kurreshtjen publikut.

“Shpresoj se do të ketë një lloj kthese në serial që do të jetë emocionuese dhe befasuese për mua dhe shikuesit. Nëse do të ishte e parashikueshme, nuk sjell argëtim”, deklaroi ai.
Lee Jung-yaee, një yll i madh filmi për një kohë të gjatë në Korenë e Jugut, luan rolin e Seong Gi-hun, një i varur nga bixhozi. Ai luan një seri lojërash misterioze dhe vdekjeprurëse për fëmijë në këmbim të një çmimi me vlerë miliona./UBTNews