UBT News

Aktiviteti “16 Ditë të Aktivizmit“ synon luftimin e pabarazisë gjinore në sport

Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me BeActive kanë shënuar aktivitetin “16 Ditë të Aktivizimit” i cili ka për synim përfshirjen sa më të madhe të grave dhe vajzave në sport.

Me këtë rast, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka deklaruar se vajzat dhe gratë duhet të inkurajohen që të merren sa më shumë me sport për shkak se ky aktivitet ka ndikim tejet pozitiv në shëndetin e tyre.

“Çdo vit synojmë të bëjmë diçka më ndryshe, por që kryefjala gjithmonë mbetet barazia gjinore. Edhe këtë herë, qëllimi është që përmes këtij aktiviteti t’i frymëzojmë vajzat dhe gratë për t’u marr me aktivitete sportive dhe t’i tejkalon paragjykimet se sporti apo sportet e caktuara janë vetëm për meshkuj…Të nderuara vajza dhe gra, iu ftoj të merreni me aktivitete çoftë sportive apo të fushave të tjera, t’i inkurajoni edhe vajzat dhe shoqet tuaja të jenë aktive në sport pasi marrja me sport sjellë vetëm përmirësime në shëndetin dhe largimin e sëmundjeve të ndryshme”, tha Krasniqi.

Ndërsa Koordinatori Nacional i BeActive, theksoi se duhet të bëhet më shumë për ta luftuar pabarazinë gjinore, gjë e cila, sipas tij, vie edhe për shkak të qëndrimeve patriarkale.

“Mesazhi për parandalimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave në sport është i mundur dhe thelbësor. Por më lejoni të theksoj që për shumë kohë mosndëshkimi, heshtja dhe stigma kanë lejuar që dhuna në sport kundër grave të mos denoncohet, gjë e cila konsiderohet njëra nga shkeljet më të përhapura dhe flagrante. Prandaj, fuqizimi i grave dhe vajzave në sport është vlerë e shoqërisë të cilën do ta kemi më të fuqishme duke përfshirë kuadrin ligjor për ta luftuar diskriminimin në bazë gjinore që shpesh vie si rezultat i qëndrimeve patriarkale dhe normave shoqërore jo demokratike”, theksoi Alaj.

Vjollca Krasniqi dhe Besire Domaniku, anëtare në komisionin ‘Sporti dhe Femra” kanë vënë në pah rëndësinë e madhe që ka sporti për gratë. Ato kanë thënë se marrja me sport rrit vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e vajzave dhe grave.

“Sporti është një mjet i duhur i fuqizimit të grave dhe vajzave sepse sfidon norma gjinore të krijuara nga shoqëria. Pjesëmarrja në sport u ofron vajzave mundësi të shumta për të ndërtuar guximin, vetëvlerësimin dhe vetë-efikasitetin e tyre pasi që përmes sportit ato marrin pozicione drejtuese dhe përmes programeve të ndryshme sportive rritet besimi i vajzave në aftësitë e tyre”, deklaroi Domaniku.

Ky aktivitet në fund u shënua me një vallëzim të një grupi të vajzave dhe grave në shenjë për aktivitetin e grave në sport.

Exit mobile version