Grupi ambientalist “Futuro Vegetal” ka kryer një akt vandalizmi në vilën e yllit të futbollit Lionel Messi në Ibiza, duke spërkatur fasadën e saj me bojë të zezë dhe të kuqe. Veprimi është bërë i ditur përmes një njoftimi për shtyp, ku aktivistët shpjeguan se ky veprim është një formë proteste kundër përgjegjësisë së të pasurve në krizën klimatike.
Mediumi “RMC Sport” raporton se aktivistët mbajtën një pankartë gjatë veprimit, në të cilën denoncojnë se individët me të ardhura të larta kontribuojnë në ndryshimet klimatike. Ata argumentuan se vila e Messi në Ibiza, e vlerësuar në 11 milionë euro, është një simbol i pasurisë së tepruar dhe një shembull i ndërtimeve ilegale.
Messi kishte blerë këtë pronë në vitin 2022, e cila përfshin një spa me saunë dhe një sallë kinemaje, megjithatë ende nuk ka marrë certifikatën e banueshmërisë nga autoritetet lokale. Kjo ka sjellë kontroversë në Spanjë, pasi pretendohet se në rezidencë janë ndërtuar disa dhoma pa leje.
Aktualisht, nuk ka koment as nga Lionel Messi as nga përfaqësuesit e tij në lidhje me këtë akt vandalizmi./UBTNews/