UBT News

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh në dobi të BIA-s serbe dhe shantazh

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit Fatmir Sheholli, i cili ngarkohet me dy vepra penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, Sheholli ngarkohet se nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025 ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA). Ai akuzohet se ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi duke zbatuar urdhrat dhe detyrat e zyrtarëve serbë, si dhe duke grumbulluar e përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna e dokumente konfidenciale lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Përveç spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për veprën penale të shantazhit. Hetimet tregojnë se gjatë periudhës 2022 – dhjetor 2025, ai ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke i kërkuar para në emër të huazimit dhe duke e kërcënuar se nëse nuk ia jepte paratë, do t’i publikonte në media video-incizime dhe informacione komprometuese. Përmes këtij presion, ai e ka detyruar të dëmtuarin të veprojë në dëm të pasurisë së tij në një vlerë që e kalon shumën prej 13 mijë eurosh.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri Fatmir Sheholli vazhdon të qëndrojë nën masën e paraburgimit. /E.A/

Exit mobile version