Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe korrupsion, pas një rasti të tentativës për futjen e substancave narkotike në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Sipas aktakuzës, njëri nga të pandehurit, në cilësinë e zyrtarit korrektues, dyshohet se kishte tentuar të fuste 85.61 gramë marihuanë brenda institucionit, duke e fshehur substancën në trupin e tij me qëllim t’ia dorëzonte një të burgosuri.
Prokuroria bën të ditur se i pandehuri tjetër, i cili në kohën e ngjarjes po vuante dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës, dyshohet se kishte organizuar dhe koordinuar futjen e narkotikëve në institucion, duke nxitur zyrtarin korrektues në këmbim të një shpërblimi në para.
Ndërkaq, i pandehuri i tretë dyshohet se kishte siguruar dhe dorëzuar substancën narkotike për t’u futur në burg, si dhe i kishte ofruar zyrtarit korrektues ryshfet në vlerë prej 1 mijë eurosh për të mundësuar realizimin e planit.
S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa i pandehuri tjetër akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale. Po ashtu, B.T. përballet edhe me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.
Për zyrtarin korrektues S.D., Prokuroria ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës./A.K/
