UBT News

Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri të Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, të cilët dyshohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. dyshohen se, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Aktakuza thotë se ata kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë në rast të ndërhyrjes për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata ende nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes.

Barrikadat në veri ishin ngritur pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili më vonë u dënua me dy vjet burgim për organizimin e sulmit ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës. /A.K/

Exit mobile version