UBT News

Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për kultivim të kanabisit dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet F.G. dhe N.G., nën dyshimin se kanë kultivuar bimë kanabisi, ndërsa njëri prej tyre akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të municionit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj N.G. është ngritur aktakuzë shtesë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 9 tetor 2025, gjatë një kontrolli të realizuar nga organet e rendit në një pronë në Prizren, janë gjetur dhe sekuestruar bimë kanabisi të kultivuara nga të pandehurit. Ekspertiza forenzike ka konfirmuar se bimët e sekuestruara përmbanin substancën narkotike kanabis-marihuanë.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar edhe 19 mijë e 900 euro, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i kultivimit të narkotikëve.

Po ashtu, gjatë kontrollit të veturës së të pandehurit N.G., policia ka gjetur dhe sekuestruar 65 fishekë, të cilët dyshohet se mbaheshin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.

Exit mobile version