UBT News

Aktakuzë ndaj dy mjekëve në Vushtrri dhe 9 qytetarëve për ryshfet

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, V.R. dhe E.S., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”. Përmes të njëjtës aktakuzë, nëntë persona të tjerë (F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K.) po akuzohen për “Dhënie ryshfeti”.

Sipas dosjes së prokurorisë, mjeku V.R. akuzohet për gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. për tri raste ku në cilësinë e personave zyrtarë kanë kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt shuma të ndryshme parash për ofrimin e shërbimeve dhe trajtimit mjekësor ndaj pacientëve.

Nga ana tjetër, nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se u kanë ofruar ose dhënë mjekëve të akuzuar shuma parash që variojnë nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për kryerjen e ndërhyrjeve operative ndaj familjarëve të tyre. Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjeve në fuqi. /E.A/

Exit mobile version