UBT News

Aktakuza për krime lufte ndaj 6 ish-gardianëve për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy aktakuza me propozim për gjykim në mungesë për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në rastin e parë, aktakuza është ngritur ndaj J.J. dhe A.S., ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles së tij në Lipjan.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit gjatë viteve 1998-1999 kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje. Ata gjithashtu akuzohen se i kanë kanosur seriozisht me vrasje.

Ndërkaq, në rastin e dytë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër ish-gardianeve të Burgut të Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan: L.S., D.L., S.A. dhe B.S.

Sipas aktakuzës, të pandehurat, në bashkëkryerje me të akuzuarën N.C., gjatë periudhës së luftës 1998-1999 kanë keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore dhe duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

Me këto aktakuza, Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurit të gjykohen në mungesë, në përputhje me legjislacionin në fuqi./A.K/

Exit mobile version