Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Sipas Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë janë persona të gjallë ndaj të cilëve do të zhvillohet procedura gjyqësore.
Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.
“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të.
Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.
Ndërsa prokurori Valdet Gashi, ka thënë se aktakuzë është ngritur pas një pune disavjeçare të Prokurorisë. Ai e ka cilësuar rastin si shumë kompleks.
“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që ta vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në fshatin Prekaz i Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharëve”, është shprehur Gashi. /E.A/
