Inspektorati Qendror i Punës ka vazhduar aksionin inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë Kosovën, duke publikuar rezultatet e ditës së katërt të punës në terren.
Sipas raportit të fundit 48-orësh, inspektorët kanë realizuar 38 kontrolle, të cilat kanë rezultuar me 16 vendime për ndalim të menjëhershëm të punimeve.
Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Inspektorati, bëhet e ditur se përveç ndalimeve, janë shqiptuar edhe 11 vërejtje, ndërsa vetëm 10 subjekte kanë rezultuar në rregull me standardet e kërkuara.
Sa i përket shtrirjes nëpër komuna, Gjakova prin me numrin e inspektimeve dhe masave të marra: Gjakovë 16 inspektime (9 ndalime punimesh, 1 vërejtje), Podujevë 11 inspektime (4 ndalime punimesh, 2 vërejtje), Drenas 11 inspektime (3 ndalime punimesh, 8 vërejtje).
Ky aksion po zhvillohet pas vendimit të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Andin Hoti, me qëllim rritjen e sigurisë në punë, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.
“Inspektimet do të fokusohen kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë dhe do të bëhen në dy ndërrime, me orare të zgjatura e edhe gjatë festave”, kishte paralajmëruar ministria javën e kaluar.
Aksioni i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Qendror të Punës parashihet të zgjasë gjithsej 15 ditë, duke synuar zbatimin rigoroz të mandatit ligjor për mbrojtjen e punëtorëve në vendet e tyre të punës.
