UBT News

Aksion në ARBK: Prokuroria bastis agjencinë mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm një aksion të gjerë bastisjesh në objektet e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).

Ky institucion, i cili operon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është bërë cak i hetuesisë pas dyshimeve të bazuara për përfshirje në veprime të jashtëligjshme brenda administratës shtetërore.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë përqendruar në dy vepra të rënda penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Dyshimet kryesore lidhen me mënyrën se si zyrtarët kanë ushtruar detyrën e tyre dhe me mundësinë e manipulimit të dokumentacionit zyrtar brenda sistemit të regjistrimit të bizneseve në Kosovë.

Aksioni është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është ende në zhvillim e sipër, ndërkohë që njësitë mbështetëse po grumbullojnë prova materiale që mund të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rastit.

Prokuroria ka bërë të ditur se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të hetimit, ndërsa detaje të tjera rreth personave të ndaluar apo provave të sekuestruara pritet të bëhen publike në vazhdimësi.

Exit mobile version