UBT News

Aksion i Prokurorisë Speciale dhe Policisë: Arrestohen tre të dyshuar për krim kibernetik, sekuestrohet pasuri mbi 1 milion euro

Tre persona janë arrestuar në flagrancë dhe pasuri me vlerë mbi një milion euro janë sekuestruar pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të zhvilluar të mërkurën në katër lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Sipas komunikatës së përbashkët të institucioneve të drejtësisë, operacioni u realizua me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e mbështetur edhe nga Njësitë Speciale (FIT) dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mashtrimi” dhe “Shpëlarja e parave”.

Gjatë bastisjeve në këto katër lokacione, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të provave materiale dhe aseteve, përfshirë:

19 vetura dhe 1 motoçikletë; 4,095 euro para të gatshme; 5 kompjuterë, 6 telefona dhe 6 USB; 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike, si dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshimin e bazuar se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar kryesisht shtetas të huaj, duke i vënë në lajthitje dhe duke i nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi në dëm të pasurisë së tyre.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti, në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikat ndërkombëtare. /E.A/

 

Exit mobile version