UBT News

Aksidenti në Austri, MPJD: Vetëm një person ende në spitalin e Salzburgut

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, është informuar mëngjesin e sotëm për një aksident trafiku të autobusit që po barte udhëtarë kosovarë drejt shtetit të Austrisë.

Ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, thuhet se ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke ofruar mbështetjen e ambasadës për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre.

Në Spitalin e Salzburgut, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, dhe pas trajtimit, shtatë prej tyre janë liruar, derisa një person vazhdon të mbahet për trajtim në këtë spital.

Ambasada e Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore dhe shëndetësore në Salzburg, dhe do të dalë me një njoftim më të detajuar sapo të pranojë informatat zyrtare.

Deri në këtë fazë mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë viktimë, dhe shtatë nga tetë personat që kanë pësuar lëndime, janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Exit mobile version