UBT News

Aksident tragjik me furgon në Shqipëri, dy të vdekur dhe 15 të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur me një furgon të linjës Berat–Tiranë.

Nga vendi i ngjarjes ka folur drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, i cili bëri të ditur se njoftimi për aksidentin është pranuar rreth orës 15:00.

Sipas tij, mjeti ka humbur kontrollin, është përplasur fillimisht me trafikndarësen dhe më pas ka dalë nga rruga.

“Rreth orës 15:00 është marrë njoftimi për aksidentin. Paraprakisht dyshohet se mjeti ka humbur kontrollin”, deklaroi Vatoci.

Ai konfirmoi se si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Vatoci bëri të ditur se njëri nga të plagosurit ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa mes të lënduarve është edhe një fëmijë, i cili raportohet se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas Policisë Rrugore, furgoni ishte i licencuar për linjën Berat–Tiranë dhe në momentin e aksidentit po udhëtonte drejt kryeqytetit.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik./A.K/

Exit mobile version