Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh njofton se një person ka pësuar lëndime trupore mesditën e së hënës në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan, pasi ka rënë nga një lartësi prej rreth tre metrash derisa ishte duke punuar në një firmë.
Viktima është dërguar menjëherë për tretman mjekësor, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti po trajtohet si asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.
Lidhur me rastin, policia ka arrestuar pronarin e firmës, i cili pas intervistimit është liruar me vendim të prokurorit.
Rasti ka kaluar në procedurë të rregullt hetimore, ndërsa detajet e mëtejshme rreth gjendjes shëndetësore të të lënduarit nuk janë bërë të ditura.
