Një aksident komunikacioni ka ndodhur sot në fshatin Koshare të Ferizajt, ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person i moshës 60-vjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura me targa vendore, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 12:15. Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar detajet e kësaj ngjarjeje tragjike.
“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60 vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka thënë Veseli.
Njësitet policore të trafikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal.
