Plot pesë fitore ka regjistruar xhudisti kosovar Akil Gjakova të shtunën në Grand Prix të Zagrebit, në Kroaci, ku u stolis me medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Pesë fitore në një garë të nivelit të lartë zakonisht mjaftojnë për të siguruar medaljen e artë, por këtë herë Gjakova u ndal në vendin e tretë. Megjithatë, kjo medalje ka rëndësi të veçantë për xhudistin më të mirë të Kosovës, i cili pas një periudhe pritjeje po rikthehet te rezultatet e rëndësishme ndërkombëtare.
Gjakova kishte fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit vitin e kaluar, ndërsa këtë vit u rendit i pesti në Kampionatin Evropian dhe në Grand Slamin e Abu Dabit, dy javë më parë. Ai kishte fituar edhe medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare, ndërsa në disa gara të tjera ishte eliminuar në fazat e hershme.
Me medaljen në Zagreb, 30-vjeçari ka fituar 350 pikë në ranglistën botërore, duke përmirësuar pozicionin e tij dhe duke iu afruar edhe më shumë synimit madhor: pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
Aktualisht, Gjakova ndodhet brenda zonës që siguron normën olimpike. Megjithatë, konkurrenca për një vend në kategorinë deri në 73 kilogramë në përfaqësuesen e Kosovës është e fortë, pasi në këtë kategori garon edhe Dardan Cena. Sipas rregullave olimpike, një shtet mund të përfaqësohet vetëm nga një xhudist në secilën kategori, ndaj gara dhe rezultatet e ardhshme do të përcaktojnë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në SHBA.
Gjakova ka marrë pjesë në dy edicionet e fundit të Lojërave Olimpike, ku, pavarësisht paraqitjeve të mira, nuk arriti të fitojë medalje. Tashmë synon paraqitjen e tretë olimpike, me shpresën që kësaj radhe të arrijë edhe te podiumi.
Rëndësinë e këtij rezultati e ka vlerësuar edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
“Në kategorinë deri në 73 kilogramë konkurrenca gjithnjë është shumë e fortë. Pesë fitoret e Akilit janë shumë të vlefshme. Medalja e bronztë po ashtu. Është medalje me vlerë edhe për Olimpiadë”, ka deklaruar Kuka.
D.L
