UBT News

AKB: Nga 7.16 miliardë euro remitanca në pesë vjet e gjysmë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po shfrytëzohet kapitali i diasporës në vend, duke vlerësuar se dërgesat e mërgimtarëve po mbeten kryesisht të orientuara drejt shpenzimeve të përditshme dhe sektorit të ndërtimit, në vend se të kanalizohen në zhvillimin e industrisë dhe prodhimit vendor.

Sipas një vlerësimi të kësaj organizate, gjatë periudhës nga viti 2021 deri në qershor të vitit 2026, Kosova ka pranuar gjithsej rreth 7.16 miliardë euro remitanca, prej të cilave rreth 80 për qind ose afro 5.73 miliardë euro janë shpenzuar në konsum, patundshmëri dhe ndërtim. Ndërkohë, vetëm 2 për qind e këtij kapitali, që përkthehet në rreth 143 milionë euro, është investuar në biznes, industri dhe prodhim, kurse 18 për qind e mbetur ka shkuar në destinime të tjera.

Të dhënat e prezantuara nga AKB-ja tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së dërgesave të diasporës ndër vite, duke filluar nga 1.15 miliardë euro në vitin 2021, 1.22 miliardë euro në vitin 2022, 1.33 miliardë euro në vitin 2023 dhe 1.35 miliardë euro në vitin 2024.

Kjo rritje ka vazhduar edhe në vitin 2025, kur remitancat arritën në 1.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 në vend kanë hyrë rreth 690.7 milionë euro. Pavarësisht këtij potenciali të lartë financiar, AKB-ja vlerëson se këto mjete nuk po arrijnë të shndërrohen në motor të zhvillimit ekonomik përmes hapjes së fabrikave të reja apo rritjes së eksporteve.

Për ta ndryshuar këtë gjendje, AKB-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë një strategji të posaçme për orientimin e kapitalit të mërgatës drejt sektorëve prodhues, teknologjisë dhe eksportit.

Kryetari i kësaj organizate, Agim Shahini, ka kërkuar nga institucionet që të krijojnë një klimë më të favorshme investuese përmes garantimit të sigurisë juridike, ofrimit të lehtësirave fiskale dhe zbatimit të politikave konkrete mbështetëse, duke theksuar se vendi ka nevojë për investime që gjenerojnë fabrika dhe vende të reja pune, e jo vetëm mjete për konsum. /E.A/

 

 

 

Exit mobile version