Me një program gjithëpërfshirës dhe aktivitete të fokusuara në ndërlidhjen mes teorisë dhe praktikës, po vazhdon suksesshëm puna në kuadër të Akademisë Verore për Ekonomi, Financa, Banka dhe Sigurime, e cila këtë vit po tërheq vëmendjen e të rinjve të interesuar për zhvillim profesional dhe akademik në këto fusha kyçe.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, u mbajt një ligjëratë e veçantë nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, i cili theksoi rëndësinë strategjike të statistikave në hartimin e politikave publike dhe në mbështetjen e vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.
Ai prezantoi mënyrat konkrete se si statistikat ndihmojnë në parashikimin e trendeve ekonomike, planifikimin institucional, matjen e ndikimit të politikave si dhe në shmangien e gabimeve të politikëbërjes. Pjesë e prezantimit ishin gjithashtu edhe fushat kyçe të statistikave, si ato sociale, demografike, bujqësore, të ambientit dhe të teknologjisë së informacionit.
Në vazhdim, një tjetër ligjëratë me vlerë u mbajt nga Prof. Artan Haziri, i cili u fokusua në strukturën dhe funksionimin e sistemit tatimor në Kosovë. Ai analizoi komponentët kryesorë të këtij sistemi, përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), Tatimin në të Ardhurat Personale, Tatimin në të Ardhurat e Korporatave si dhe tatimin në pronë.
Prof. Haziri solli në vëmendje edhe kuadrin ligjor, rolet e institucioneve zbatuese si Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe në funksionimin e bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ndërkohë, një tjetër temë aktuale dhe me interes të gjerë u trajtua nga Prof. Arta Mulliqi, e cila foli për tregtinë ndërkombëtare dhe ndikimin e saj në mjedis. Me fokus të veçantë në aspektet e eksporteve dhe investimeve të qëndrueshme, ajo analizoi mënyrat se si bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar mund të ndikojë pozitivisht në ruajtjen e ambientit, si dhe në zhvillimin afatgjatë të ekonomive vendore.
Ky edicion i Akademisë Verore po dëshmon rëndësinë e krijimit të hapësirave interaktive për edukim, ku të rinjtë përfitojnë nga ekspertiza e profesionistëve dhe praktikuesve të fushës, duke ndërtuar ura lidhëse ndërmjet dijes teorike dhe praktikës reale.