Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim fuqizimin e kontrollit dhe rritjen e transparencës ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitet ekonomik në hapësirën digjitale.
Përmes kësaj marrëveshjeje, të dyja institucionet do të zhvillojnë inspektime të përbashkëta dhe të koordinuara ndaj bizneseve online, faqeve në rrjete sociale, portaleve mediale dhe platformave të tjera digjitale, secila në përputhje me mandatin e saj ligjor.
Kjo iniciativë vjen si përgjigje ndaj rritjes së hovshme të tregtisë online dhe rasteve të evidentuara gjatë monitorimeve, ku janë vërejtur shkelje në mbrojtjen e të dhënave personale si dhe vështirësi në identifikimin e subjekteve ekonomike.
Në kuadër të inspektimeve: AIP do të mbikëqyrë ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, politikat e privatësisë, përdorimin e “cookies” dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
ATK do të verifikojë përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe regjistrimin e rregullt të veprimtarisë ekonomike.
Përmes këtij bashkëpunimi, AIP dhe ATK synojnë të ndërtojnë një mjedis digjital më të sigurt, ku zhvillimi i biznesit bëhet në respektim të plotë të ligjit dhe të drejtave të konsumatorëve. /E.A/
