Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen dhe të mos u besojnë teorive të rrjeteve sociale që qarkullojnë për vaksinat.
Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se nga virusi COVID-19 në vend për katër ditë kanë vdekur 104 persona.
“104 vdekje për katër ditë! Në ditët kur shkatërrohen mbi 130 mijë vaksina e refuzohen qindra mija falas nga shtetet e tjera. Mbi 50 milion britanikë janë vaksinuar me Astra Zeneca, mbi 100 milion amerikanë me Pfizer. Leni teoritë e Facebookut. E vërteta është se me vaksinë je më i mbrojtur se pa vaksinë. Fatkeqësi, ka qenë me vdek kur s’ka pas vaksinë, tash është tragjedi me vetëdije!”
“Prej korrikut të vitit 2020 kemi kërkuar që fokusi të jetë vetëm në vaksinë. Atëherë jemi përqeshur. Por është prej atyre rasteve kur je i pikëlluar pse e kemi pasur mirë. Kemi dështuar edhe në sigurimin e vaksinave edhe në vaksinim. Mos ta bëjmë këtë tragjedi edhe më të madhe!”,ka thënë Ahmeti.