Çdo ditë e më shumë po vazhdojnë të qarkullojnë spekulimet që e lidhin të ardhmen e Thomas Strakoshës larg Premier Ligës angleze.
Strakosha u largua si lojtar i lirë nga Lazio gjatë verës, dhe u transferua te skuadra e kampionatit anglez, Brentford, tek e cila nuk ka arritur ta gjejë vetën.
Ylli shqiptar këtë sezon ka arritur të regjistrojë vetëm 90 minuta lojë, ku ishte gardiani i portës së Brentfordit në ndeshjen kundër Colchester United në Carabao Cup.
Minutazha e vogël e Strakoshës ka bërë që ai të jetë i pakënaqur te Brentfordi, dhe agjenti i tij, Federico Pastorello tani ka ndezur spekulimet për largim të yllit shqiptar nga Premier Liga duke pranuar se ka gjasa që ai të largohet në muajin janar.
“Situata është e çuditshme pasi që ai nuk është duke luajtur kurrë. Ne po mundohemi që ta gjejmë një zgjidhje pasi që pas 200 ndeshjeve me Lazios, Strakosha i është bashkuar Brentfordit dhe nuk po luan”, tha Pastorello për “TMV”.
“Po, ka gjasa që ai të largohet në muajin janar”, shtoi më tej Pastorello.