UBT News

Agjenti i Diaz: Interesimi nga Liverpooli dhe Chelsea është gjë normale

Agjenti i Luis Diaz ka thënë që është normale që sulmuesi anësorë i Portos është duke tërhequr vëmendje nga gjigandët evropianë, veçanërisht nga dy skuadrat angleze Liverpool dhe Chelsea.

Që prej se u transferua nga skuadra kolumbiane Junior te Porto në korrik të vitit 2019, Diaz ka shënuar 21 gola dhe ka regjistruar nëntë asistime, duke krijuar gjithsej 59 raste në Premier Ligën e Portugalisë.

24 vjeçari në kontratën e tij ka një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh, ku dy gjigandët e Premier Ligës angleze Liverpool dhe Chelsea janë duke përgatitur oferta për të siguruar shërbimet e sulmuesit kolumbian, përcjell KosovaPress.

Rreth këtij interesimi ka folur agjenti i Diaz Carlos Van Strahalen, duke thënë që bazuar në formën e klientit të tij ishte pritur interesimi nga gjigandët evropianë.

“Është normale. Nëse një lojtar luan mirë, nëse fillon të tregojë kualitetet e tij, nëse shumica e konsideron si lojtarin më të mirë në ligën portugeze, nëse ai është golashënuesi më i mirë dhe tregon paraqitje tejet të mira në Ligën e Kampionëve, ky interesim është gjë normale”, tha Van Strahalen.

“A do të largohet ai nga Porto? Nuk e di”, shtoi agjenti i Diaz.

Në këtë sezon, Diaz ka arritur të shënojë nëntë gola në 11 paraqitje, ku momentalisht është golashënuesi më i mirë në ligën portugeze.

Exit mobile version