Prof.Dr.Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, ka thënë se dorëheqja e anëtarëve ndërkombëtarë të të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, paraqet problem pasiqë po dëmtohet cilësia në arsimin e lartë në Kosovë.
Përderisa të enjten pesë anëtarë të Bordit kanë dhënë dorëheqje, prej tyre dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë. Dorëheqja e ndërkombëtarëve ndërlidhet me kërkesën e Antikorrupsionit për ta deklaruar pasurinë.
“Dorëheqja e anëtarëve ndërkombëtarë krijon një problem shumë të madh për funksionalizimin e Bordit Nacional për Sigurimin e Cilësisë në Kosovë. Në bazë të udhëzimit administrativ dhe rregullativave e ligjeve në Kosovë ju e dini që pa pjesëmarrje ndërkombëtare nuk krijohet edhe kuorumi për vendimmarrje dhe me këtë pezullohet puna e Bordit dhe vendimet e Agjencionit të Akreditimit. Kjo bën shtyerjen e vazhdueshme të proceseve të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, pengon zhvillimin institucional, poashtu krijon si problematikë edhe anëtarësimin e Agjencionit të Akreditimit në organizatat ndërkombëtare siç është ENQA”, është shprehur ai në një intervistë për Ekonomia Online.
Hajrizi shpreson që të formohet sa më parë Kuvendi dhe të emërojë anëtarët e rinj të këtij bordi.
“Shpresojmë që zgjedhjet të përfundojnë sa më shpejt dhe të formohet komisioni parlamentar për arsim dhe ai të bëjë nominimin e personave në këtë bord. Poashtu lusim që ky nominim të jetë i bazuar në performancë e kompetenca të mirëfillta. Në persona që kanë integritet të lartë akademik, shkencor, profesional në vend dhe jashtë tij. Me qenë të pavarur që kanë një përvojë në këtë punë në mënyrë që vendimet e tyre të jenë kredibile në të ardhmen, të bazuara pa anashkalim, të kenë një përfaqësim të të gjitha palëve të interesit në atë bord dhe në këtë mënyrë të krijohet një cikël normal i zhvillimit të agjencionit të akreditimit që ka disa vite që nuk funksionin në mënyrë të rregullt. Kjo e ka zbehur pozicionin e arsimit të lartë të Kosovës në botë”, ka thënë ai.
Po ashtu Hajrizai duke folur për EO ka kërkuar nga partitë politike që arsimi të jetë prioritet i tyre.
“Në përgjithësi shihet që të gjithë ne flasim për një nevojë më të madhe për rritjen dhe sigurimin e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet. Mendoj që arsimi duhet të jetë një çështje mbarëkombëtare, ndër partive politike një lloj bashkëveprimi. Është një sistem kompleks që nuk mund të zgjidhet nga një parti politike por në bashkëveprim me të gjitha palët e interesit në arsim në Kosovë. Duhet të konfirmohet dhe të besohet në një kriter më transparent, të qartë të vlerësimit cilësor apo kualitativ e kuantitativ të tij dhe të marrim masa që arsimi të jetë prioritare në Kosovë. Është parakusht për të gjitha zhvillimet. Bëjë apel të gjitha partive politike që arsimin ta kenë si prioritet, mos ta lënë ashtu që të flitet për të e të mos veprohet”, deklaroi ai.
Sipas Hajrizit, arsimi në Kosovë ka shënuar një zbehje të cilësisë shikuar në nivelin ndërkombëtar.
“Në vitet e fundit ne kemi një lloj zhvillimi vetvetiu të arsimit që nuk është e mjaftueshme kur flasim për arsimin e bazuar në teknologji, metoda e forma të reja, trasformime digjitale, inovacione, klasën 3.0, 4.0, 5.0, trasformimet e kompetencave të reja që kanë me na u paraqitë gjatë viteve të ardhshme, profesione e detyra të reja. Ku janë ato programe, ata profesor që dinë të ligjërojnë ato, ku është ajo literaturë e infrastrukturë, ndërveprim e të dhëna që janë të lidhura mes tregut të punës e edukimit. Sa e mbështesin politikat tona këtë trasformim dhe mendoj që nëse ne shkojmë ngadalë kemi me pas edhe më shumë probleme. Nëse shohim në aspektin ndërkombëtar ne kemi një zbehje të arsimit të Kosovës, qoftë në pozitat ranguese, qoftë në largimin nga orgazata respektive profesionale e akademike. Kurse vendet në regjion po zhvillohen qoftë në pjesëmarrje aktive në projekte ndërkombëtare qoftë ne komponenta tjera”, deklaroi ai.
Hajrizi ka treguar se gjatë pandemisë, UBT ka mbajtur mësimin online dhe të gjithë aktivitete e tjera.
“Ne kemi marrë para një jave çmimin numër një në botë për përdorimin e teknologjisë në edukim. Ne e kemi mbajtur mësimin online. Teknologjia sot nuk është e shtrenjtë dhe kjo mundëson që vetëm me një vullnet mund të bëhet. Kemi mbajtur edhe provimet, diplomimet, konferencat e shkollat verore online. Neve na është shtyrë akreditimi vitin e kaluar për shkak të pandemisë, janë shtyrë 30 programe të reja për vit”.
Kurse për fund, ai ka treguar se i kanë ofruar Ministrisë së Arsimit një platformë për shkollat fillore e të mesme, por që këta të fundit nuk e kanë pranuar.
“Ne me Departamentin tonë për Zhvillimin e Digjitalizimit në Arsim i kemi ofruar Ministrisë së Arsimit krejt platformën për shkollat e mesme dhe fillore por fatkeqësisht ata nuk e kanë pranuar. Ne u kemi ofruar një donacion prej 2 milionë eurosh bashkë me institucionet amerikane për të iu ofruar virtualizimin e digjitalizimin e arsimit në Kosovë por ata nuk e kanë marrë. Nuk e kuptoj kur diçka e madhe e mirë nuk implemtohet. Për mua kjo është diskutabile se a kemi vërtetë dëshirë me zhvillu arsimin apo jemi vetë të interesuar të luftojmë kundër vetvetes. Kjo është e paqartë derisa ofrohen të gjitha mundësitë që buxheti mos të dëmtohet e cilësia të rritet”, ka përfunduar ai.