Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është nisur drejt Mexico City, qytetit ku dhjetë vjet më parë Kosova shkroi një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e saj sportive, duke u pranuar në Kongresin e FIFA-s si anëtare me të drejta të plota e familjes botërore të futbollit.
Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, kreu i FFK-së do të jetë pjesë e ceremonisë dhe ndeshjes hapëse të Kupës së Botës 2026, ku do të përballen Meksika dhe Afrika e Jugut. Ademi do të jetë në mesin e drejtuesve të federatave kombëtare nga e gjithë bota që do të marrin pjesë në këtë ngjarje madhore të futbollit.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Ademi do të marrë pjesë edhe në Samitin e FIFA-s që do të organizohet në Miami, ku pritet të diskutohen zhvillimet dhe projektet më të rëndësishme të futbollit global. Po ashtu, ai do të ndjekë nga afër disa prej ndeshjeve të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror.
Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, Ademi do të rikthehet në Kosovë. Megjithatë, ftesa e presidentit Infantino për të vazhdon edhe për fazën vendimtare të turneut, pasi presidenti i FFK-së do të jetë i pranishëm edhe në ndeshjet gjysmëfinale dhe në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.
D.L
