UBT News

Agim Ademi kujton Fadil Vokrrin në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta

Tetë vjet pas ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, figura e tij vazhdon të mbetet e gjallë në kujtesën e sportdashësve dhe të gjithë atyre që e njohën kontributin e tij të jashtëzakonshëm për futbollin dhe shtetndërtimin sportiv të Kosovës.

Me rastin e tetëvjetorit të vdekjes së tij, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka publikuar një mesazh përkujtimor, duke e vlerësuar Vokrrin si një prej personaliteteve më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar.

Sipas Ademit, Vokrri nuk ishte vetëm një futbollist i madh dhe një ikonë e gjelbërimit kosovar, por edhe arkitekti i njohjes ndërkombëtare të futbollit të Kosovës, duke udhëhequr procesin historik të anëtarësimit në UEFA dhe FIFA.

“Ka emra që nuk i përkasin vetëm historisë, por bëhen pjesë e identitetit të një kombi. E një emër i tillë është padyshim Fadil Vokrri. Sot, tetë vjet më vonë, kujtimi për të mbetet po aq i fortë sa dita kur na la”, ka shkruar Ademi.

Ai ka theksuar se trashëgimia e Vokrrit vazhdon të jetë burim frymëzimi për brezat e rinj të futbollistëve dhe sportistëve kosovarë, ndërsa numri 9, që ai e mbajti me krenari gjatë karrierës së tij, mbetet simbol i suksesit, lidershipit dhe përkushtimit ndaj futbollit të Kosovës.

“Fadil Vokrri mbetet më shumë se një emër në historinë e futbollit tonë. Ai është frymëzim, krenari dhe pjesë e përhershme e identitetit të futbollit të Kosovës”, ka përfunduar Ademi në mesazhin e tij përkujtues.

Fadil Vokrri ndërroi jetë më 9 qershor 2018, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si në fushën e blertë ashtu edhe në drejtimin e futbollit kosovar. Emri dhe vepra e tij vazhdojnë të zënë një vend të veçantë në historinë sportive të Kosovës.

Foto: Kosovapress

D.L

Exit mobile version