UBT News

Agim Ademi jep lajmin e madh për futbollin e Kosovës

Nga edicioni 2022/23 futbolli i Kosovës do të përfaqësohet me katër skuadra në garat evropiane.

Lajmin e ka konfirmuar sot kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi.

Sipas tij, nga ky vit, futbollin e Kosovës në Evropë do ta përfaqësojnë kampioni, nënkampioni, skuadra e pozitës së tretë dhe fituesi i Kupës së Kosovës.

“Dua të ndaj me ju një lajm jashtëzakonisht të mirë për futbollin e Kosovës. Që nga edicioni 2022/2023 Kosova do të përfaqësohet në Evropë me 4 skuadra. Pra, edicioni i ri i garave në futbollin kosovar do të dërgojë në garat evropiane kampionin, nënkampionin, skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës si dhe fituesin e Kupës së Kosovës“, ka shkruar Ademi në “Facebook”.

I pari i FFK-së më tutje ka falënderuar klubet kosovare të cilat po bëjnë performanca të mira me lojën e tyre si dhe organet e UEFA-së për bashkëpunimin e treguar me drejtuesit e FFK-së.

“Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë, e për të cilin jemi angazhuar shumë me kërkesa të vazhdueshme në UEFA. Duke pasur parasysh se Superliga është me 10 ekipe, nëse e llogarisim me përqindje i bie që 40% kampionatit tonë do të jetë në garat evropiane dhe kjo s’do mend se është arritje e madhe. “

“Me këtë rast përveç punës tonë si federatë, dua t’i falënderoj shumë edhe organet e UEFA-s që na mirëkuptuan në kërkesën tonë, por më së shumti i falënderoj klubet tona, të cilat këtë vit kanë performuar dhe po performojnë jashtëzakonisht mirë, pasi që koeficienti fitohet nga performanca e tyre“.

Krejt në fund, Ademi i ka uruar klubet kosovare pasi ky hap i madh nënkupton edhe rritjet të ekonomisë në Kosovë dhe më shumë kualitet në futboll.

Prandaj, në këtë ditë të rëndësishme për futbollin e Kosovës i uroj klubet e Superligës, ngase pjesëmarrja e katër ekipeve në Evropë nënkupton edhe rritje të ekonomisë në Kosovë, më shumë kualitet në futboll dhe pa dyshim edhe ngritje të organizimit të klubeve.

Exit mobile version