Kampioni i Superligës së Kosovës, Ballkani, e ka prekur fazën e play-offit të kualifikimeve drejt Ligës së Konferencës, pasi që mbrëmë e eliminoi në fazën e penalltive skuadrën e Klaskvik.
Me të arritur këtë gjë, Ballkani është shumë pranë arritjes në fazën e grupeve të kësaj gare, gjë kjo që do të ndodhte vetëm nëse suharekasit eliminojnë edhe skuadrën e radhës.
Ndërkaq, tani në fazën e play-offit, skuadra e Ilir Dajës do ta ketë përballë një skuadër shqiptare, ku do të takohet me Shkupin.
Po ashtu, nëse Ballkani e eliminon kampionin e Maqedonisë së Veriut, do të shkruante historinë si skuadra e parë nga Kosova që prek fazën e grupeve të një gara evropiane.
Prekja e fazës së grupeve për Ballkanin do të ishte më shumë se një ndihmesë e madhe për klubin, pasi që kampioni i Kosovës do të arkëtonte plot 2,940,000 euro nga UEFA.
Ndeshja e parë zhvillohet në Shkup më datën 18 të këtij muaji, kurse ndeshja e kthimit do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më datën 25 gusht.