Kur Dragica Gashiq u përpoq të blinte ushqime në një dyqan lokal, pronari shqiptar e ndaloi atë të hynte. Shkelja e saj? Ngase është e para dhe e vetmja serbe që u kthye në qytetin kosovar, i cili ende bart plagët e një konflikti dekadash të vjetër.
Kështu nis teksti i AFP-së, përgatitur për serben e cila u kthye të jetojë në Gjakovë, për çfarë edhe u protestua në këtë qytet të prekur shumë nga lufta e vitit 1999.
Më shumë se 20 vjet më parë, Gashiq dhe dy djemtë e saj të vegjël ishin midis dhjetëra mijëra serbëve që u larguan nga Kosova pas një konflikti të përgjakshëm midis forcave serbe dhe luftëtarëve etnikë shqiptarë pro-pavarësisë.
Pasi “armët heshtën”, rreth 13 mijë serbë u kthyen gradualisht në shtëpitë e tyre stërgjyshore në disa enklava, por asnjëri nuk u kthye në Gjakovë ose në Djakovica, siç e quajnë serbët qytetin jugperëndimor.
Kjo ishte deri në qershor, kur 59-vjeçarja Gashiq, e cila punonte si pastruese gjatë qëndrimit të saj në Serbi, vendosi se ishte koha për të shkuar në shtëpi.
“Gjithë jetën kam menduar dhe kam ëndërruar për banesën time dhe kthimin në Gjakovë … Unë linda dy fëmijë këtu, kam kaluar vitet më të mira të jetës sime këtu,” tha Gashiq për AFP ndërsa ishte ulur brenda një banese të zhveshur ku kishte një karton kuti që shërben si një tryezë e përkohshme.
“Isha e lumtur këtu, duke jetuar së bashku me fqinjët dhe kolegët e mi shqiptarë. Pastaj erdhi lufta dhe gjithçka shkoi përmbys”.
Kthimi i saj bëri bujë në qytet
Gjakova është ende duke i shëruar plagët e mbetura pas luftës së fundit të viteve 1990. Qyteti me rreth 40 mijë banorë u shkatërrua nga forcat serbe, duke vuajtur “dhunën më të madhe të kryer kundër civilëve të të gjitha qyteteve kryesore në Kosovë”, sipas Human Rights Watch (HRW).
Rreth 1 mijë e 500 vendas u vranë, rreth 12 përqind e numrit të përgjithshëm të viktimave gjatë konfliktit në Kosovë. Rreth 200 banorë të qytetit janë ende të regjistruar si të zhdukur.
Mizoritë përfshinin masakrën e 20 njerëzve në një shtëpi të vetme, të moshës midis dy dhe 73 vjeç, sipas HRW.
Të mbijetuarit thanë se anëtarët lokalë të komunitetit serb ndihmuan forcat serbe në kryerjen e masakrës.
Shumica e shqiptarëve etnikë të Kosovës shpallën në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në 2008, një veprim që ende nuk njihet nga Beogradi dhe aleatët e tij Kina dhe Rusia. Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 100 vende.
Armiqësi e vazhdueshme
Gashiq ishte përballur me armiqësi të vazhdueshme nga fqinjët. Ata e shajnë atë në rrugë, i hedhin gurë ballkonit të saj dhe i godasin pa pushim derën e saj kryesore, thotë ajo.
Ushqimi dhe ilaçi i saj për diabetin u vodhën gjatë një sulmi në shtëpinë e saj. Policia, tani eshtë duke siguruar mbrojtje gjatë gjithë kohës në shtëpinë e saj, dhe ka arrestuar një të dyshuar.
Gazetarët e AFP ishin dëshmitarë të incidentit në dyqanin ushqimor, kur pronari e ndaloi atë të hynte.
“Klientët filluan të më bojkotojnë për shkakun tënd!” i tha burri Gashiq.
“Çdo serb që kthehet është një kriminel, sepse secili ka kryer krime,” tha për AFP, Avni Ajdini, 46 vjeç, i cili punon si roje sigurie në bankë.
“Edhe duart e saj janë të pista,” tha Ferdonije Qerkezi, 68 vjeç, burri dhe katër djemtë e së cilës u vranë nga forcat serbe.
Ajo dhe të tjerët thonë se Gashiq “punoi për Ministrinë e Brendshme”.
Por Gashiq pretendon se ajo thjesht punonte si pastruese në stacionin policor lokal.
“Unë e di që nuk i kam bërë keq askujt”, tha ajo.
“Unë e kuptoj pse ata nuk duan të më shohin, unë jam serbe! … Lufta i mbushi të gjithë me zemërim dhe krijoi kaos”.
Organizatat joqeveritare lokale të cilat dolën nga konflikti kanë kërkuar nga autoritetet të “dëbojnë” Gashiq nga qyteti.
“Gjakova nuk është gati të mirëpresë kthimin e serbëve derisa të dorëzohen eshtrat e fundit të të dashurve tanë”, thanë 11 OJQ në një deklaratë të përbashkët.
‘Asnjë serb i pafajshëm’
Nusrete Kumnova, një anëtare e një shoqate lokale për familjet e personave të zhdukur, tha se serbët nuk duhet të lejohen të kthehen pasi “plagët janë ende të hapura”.
“Nuk ka asnjë serb të pafajshëm,” tha Kumnova për AFP me një shprehje të zbrazët, shikimi i saj ishte i lidhur me një fotografi të djalit të saj Albion, një nga ata që ende ishin të zhdukur.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka kërkuar të minimizojë tensionin, me zgjedhjet komunale në prag.
Ai u tha mediave lokale se “nuk kishte nevojë të politizohej kjo në ekstrem”.
Komuna ngriti një padi duke i kërkuar gjykatës ta dëbojë atë për shkak të mospagimit të qirasë që nga viti 1997.
Beogradi e përshkroi sjelljen e zyrtarëve lokalë si “persekutim sistematik”.
Avokati i njohur, Arianit Koci, një nga figurat e pakta të shquara në Kosovë që ka shprehur mbështetje për Gashiq, tha se ndërsa askush nuk mund të kundërshtojë krimet “monstruoze” të forcave serbe të kryera në Gjakovë, “gruaja serbe nuk duhet të dëbohet”.
“Ajo nuk është kërcënim për askënd,” shkroi Koci në Facebook.
Gashiq thotë se ajo nuk ka ndërmend të largohet.
“Unë nuk do të kthehem në Serbi. Kjo është e imja, nuk e kam marrë nga askush. Unë jam në banesën time. Unë do të duroj gjithçka”.
“Ata vetëm mund të më kthejnë të vdekur”.
Teskt origjinal i AFP-së, i përkthyer nga Klankosova.tv.