Agjencia për Financim në Kosovë (AFK) hapi të hënën degën e re edhe në Obiliq. Ky institucion mikrofinanciar synon të jetë sa më pranë klientëve të saj me shërbimet që ofron, si për nevoja familjare, për biznese, bujqësi, gra ndërmarrëse, eko-kredi dhe kredi për regjistrim të veturave me kushte të volitshme.
Drejtori i AFK-së, Vahdet Anadolli tha se për gjithë ata që dëshirojnë të marrin kredi për biznese të ndryshme kjo pikë do të kontribuojë në të mirë të komunitetit në Obiliqit.
Anadolli shtoi se qëllim tjetër i AFK-së është edhe hapja e vendeve të reja të punës për të gjithë ata që janë të interesuar të punojnë.
“Besojmë se do të kontribuojë mirë në komunitetin tuaj, do të furnizohemi me kredi të reja, ata që kanë nevojë për kredi dhe shpresojmë se kjo do ta ngrit mirëqenien e komunitetit tuaj që ndodhë edhe në komunat tjera në Kosovë ku AFK-ja vepron. Për ne është me rendësi që përveç kësaj ne fusim edhe punëtor të ri në punë. Kështu, tani për momentin e kemi një grup të punëtorëve që funksionojnë, dhe deri sa të hapet zyra zyrtarisht, në ndërkohë varësisht prej aktivitetit të AFK-së dhe kreditimit me siguri se do ta rrisim prapë stafin në Obiliq”, tha Anadolli.
Mes tjerash, Anadolli tha se pavarësisht se kjo komunë nuk është shumë e madhe, e kanë parë të nevojshme të investojnë. Pasi sipas tij, biznesmenët gjithmonë kanë nevojë për kredi të ndryshme.
“Sa i përket komunës suaj, u interesova në disa detaje dhe është një komunë jo shumë e madhe, por, sidoqoftë ne e kemi parë të udhës me hap një zyre, sepse gjithmonë ka nevojë për kreditim, për biznesmenë të ndryshëm, për bujq apo çfarëdo veprimtarie që e kryen. Kështu keni banka, keni mikrofinanca, por AFK-ja është e veçantë, është mirë të punoni me ne, pasi mundeni t’i keni kushtet mjaftë të mira dhe ta vazhdoni biznesin”, shtoi Anadolli.
Ndryshe, kjo është pika e 29-të me radhe e AFK-së dhe ka filiale në të gjitha komunat e Kosovës.