UBT News

Afganistan: Talibanët premtuan ‘amnisti për të gjithë’, por ata janë përgjegjës për shumicën e dhunës kundër civilëve

Dhjetë muaj prej kur talibanët morën pushtetin në Afganistan dhe premtuan ‘aministi’ për të gjithë, të dhënat sugjerojnë se ata janë autorët më të mëdhenj të dhunës në Afganistan – duke lënë të vdekur të paktën 341 njerëz.

Që nga dhjetori i vitit 2021, kur Kabuli ra në duart e talibanëve – Armed Conflict Location and Event Project (ACLED) regjistroi 818 incidente të dhunës ndaj civilëve – dhe më shumë se gjysma e tyre dyshohet se janë kryer nga talibanët.

Habib Khan, themeluesi i Afghan Peace Watch, që punon me ACLED për të gjurmuar dhunën politike, tha se shifrat mund të jenë edhe më të larta.

Ai tha: “Ne besojmë se shumica e dhunës që kemi koduar në kategorinë e grupeve të armatosura të paidentifikuara (35% në total) është kryer nga talibanët”.

Për shkak të burimeve të kufizuara, ekipi i Khan i klasifikon këto incidente si të kryera nga grupe të paidentifikuara. Incidentet e regjistruara janë realizuar me IED (pajisje shpërthyese të improvizuara), bomba vetëvrasëse dhe granatime, por ka edhe dhunë të shënjestruar kundër civilëve si sulme, dhunë seksuale dhe rrëmbime të detyruara.

Khan tha se “pavarësisht amnistisë, talibanët po synojnë sistematikisht ish-anëtarë të forcave afgane të mbrojtjes dhe sigurisë”, si dhe gra, aktivistë dhe gazetarë.

Nuk janë vetëm talibanët

Disa nga sulmet e grupeve të paidentifikuara kanë ndodhur në zonat e Afganistanit që talibanët i kanë nën kontroll të plotë, si në jug. Është e mundur që ato janë grupe të lidhura me Shtetin Islamik ose fraksione të tjera të armatosura.

Ekipi i Khan ka vëzhguar Shtetin Islamik, ku po rriten sulmet në Afganistanin lindor dhe verior. Grupi u përball me sulme qëkur talibanët morën kontrollin, ku mbetën të vdekur të paktën 377 civilë. Ndërsa besohet se Shteti Islamik ka vrarë më shumë civilë se talibanët, pothuajse gjysma e shifrës vjen nga sulmi i 26 gushtit të vitit 2021, në aeroportin e Kabulit, ku mbetën të vdekur 170 civilë. Talibanët gjithashtu kanë kryer shtatë herë më shumë akte dhune kundër civilëve.

Talibanët përgjigjen

Numri i ngjarjeve në të cilat civilët kanë qenë viktima të dhunës në vend ka rënë në përgjithësi qëkur talibanët erdhën në pushtet. Por kjo është kryesisht për shkak të përfundimit të konfliktit i cili filloi në vitin 2001. Bashkë me të u pa edhe një ulje e rasteve të dhunës gjatë luftës si bombardimet, sulmet ajrore dhe IED.

Njohësit e kësaj çështje besojnë se dhuna në Afganistan është drejtuar kryesisht kah individët dhe grupet.

Dr Roudabeh Kishi, drejtoreshë e kërkimit dhe inovacionit në ACLED, tha se “ne po shohim shumë më tepër një lloj shënjestrimi të drejtpërdrejtë (të civilëve), qoftë nga duart e talibanëve, të cilët janë shumë prej tyre, por edhe nga Shteti Islamik dhe grupe të armatosura të paidentifikuara”.

Në një raport të fundit, Komiteti i Punëve të Jashtme paralajmëroi se talibanët kanë kryer vrasje dhe sulme të synuara. Zyra e Jashtme ka thënë gjithashtu se ka prova se regjimi po i përgjigjet presionit ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut./UBTNews/

Exit mobile version