UBT News

Afganistan: Brenda shkollës së fshehtë për vajza

E fshehur në një lagje banimi është një nga shkollat e reja “të fshehta” të Afganistanit – një akt i vogël, por i fuqishëm sfidimi kundër talibanëve. Një numër adoleshentesh po ndjekin mësimet e matematikës.

“Ne i dimë rreziqet dhe shqetësohemi për to”, deklaroi mësuesja e vetme e shkollës, por shtoi se edukimi i vajzave mposht çdo rrezik.

Në të gjitha provincat, përveç një numri të vogël të provincave të vendit, shkollat ​​e mesme të vajzave janë urdhëruar të mbyllen nga talibanët.

“Ne bëjmë çmos për ta bërë këtë fshehurazi”, tha mësuesja, “por edhe nëse më arrestojnë mua, më rrahin, ia vlen”, shtoi ajo.

Në muajin mars, u mendua se do të rihapeshin shkollat e vajzave, por vetëm një orë pasi nxënësit filluan të vijonin mësimin, talibanët ndryshuan papritur politikën.

Për nxënësit e kësaj shkolle dhe për shumë vajza të tjera adoleshente, dhimbja është ende e freskët.

“U bënë dy muaj tani, dhe shkollat ende s’janë hapur”, tha një 19-vjeçare duke shtuar se kjo e mërzit atë shumë.

Një tjetër studente 15-vjeçare donte t’u dërgonte një mesazh vajzave të tjera në Afganistan: “Jini të guximshme, nëse jeni të guximshme, askush nuk mund t’ju ndalojë”.

Shkollat ​​fillore për vajza janë rihapur nën talibanët dhe në fakt u pa një rritje e numrit të nxënësve pas përmirësimit të sigurisë në pjesët rurale të vendit, por ende nuk dihet se kur ose nëse vajzat më të mëdha në moshë do t’u lejohet të kthehen në klasë.

Talibanët kanë thënë se fillimisht duhet të krijohet “mjedisi islamik”, megjithëse duke qenë se shkollat ​​tashmë janë të ndara sipas gjinisë, askush nuk e di sigurt se çka nënkupton kjo.

Zyrtarët talibanë kanë insistuar vazhdimisht në adresimet publike se shkollat ​​e vajzave do të rihapen, por gjithashtu thanë se arsimimi i grave është një çështje “e ndjeshme” për ta. Gjatë qëndrimit të tyre të mëparshëm në pushtet në vitet 1990, vajzave nuk iu lejua të shkojnë në shkollë, gjoja për shkak të “shqetësimeve të sigurisë”./UBTNews/

Exit mobile version