Sot mbushet afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa nga ky institucion nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca e ndërprerë për legjislaturën e 11-të.
Punimet e seancës konstituese u ndërprenë me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësuesit e partive politike, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit. Kjo kërkesë nxiti reagime nga ligjvënësit e Partisë Demokratike, mirëpo kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Para ndërprerjes, Kuvendi përmbylli dy pikat e para të rendit të ditës: formimin e komisionit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve. Pasi u konstatua rregullsia e mandateve, ligjvënësit e zgjedhur dhanë betimin, përfshirë edhe deputetët e Listës Serbe. /E.A/
