Me kërcime nga 20 metra lartësi, adrenalinë dhe emocione të forta, Gjakova ka mirëpritur edicionin e 76-të të garës tradicionale të kërcimeve nga Ura e Fshajtë, një nga ngjarjet më të veçanta sportive dhe kulturore në vend.
Gara, e organizuar në kuadër të festivalit “Ditët e Shqiptarit”, mblodhi pjesëmarrës nga Kosova dhe rajoni, përfshirë për herë të parë edhe garues nga Bosnjë e Hercegovina, vend i njohur për traditën e kërcimeve nga Ura e Mostarit.
Para nisjes së garës, zhytësit e Mitrovicës kontrolluan sigurinë e lumit, duke konfirmuar se thellësia e ujit ishte rreth 6.5 metra.
Koordinatorja e festivalit, Jeta Gërqari, tha se kërcimet nga Ura e Fshajtë tashmë janë shndërruar në një prej aktiviteteve më të rëndësishme të festivalit, duke bashkuar sportin ekstrem me promovimin e kulturës dhe turizmit.
Edhe kryetari i Fondacionit për Gjakovën, Ermal Hasimja, vlerësoi se kjo garë është një simbol i qytetit dhe një ngjarje që tërheq çdo vit vizitorë të shumtë.
Në kategorinë e stilit “dallëndyshe”, fitues u shpall Florid Gashi, i cili mori vlerësimet maksimale të jurisë. Ai u shpreh i lumtur për triumfin, duke theksuar se përvoja në garat ndërkombëtare, përfshirë kërcimet nga Ura e Mostarit, e ka ndihmuar ta tejkalojë frikën dhe të vazhdojë sukseset.
Vendin e dytë e fitoi Shkëlzen Goqi, ndërsa çmimi i tretë u nda mes Bledar Morinës dhe Albion Gashit.
Në kategorinë e kërcimeve në këmbë, vendi i parë i takoi Gent Krasniqit, i dyti Teki Miftarit, ndërsa i treti Gëzim Krasniqit.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe pesëvjeçari Kani Basha, i cili u duartrokit nga publiku për guximin e tij dhe u nderua me një mirënjohje.
Bashkorganizatori Astrit Haliti tha se kërcimet nga Ura e Fshajtë janë një traditë që promovon Gjakovën dhe turizmin sportiv, duke shtuar se ky sport ekstrem meriton mbështetje edhe më të madhe në të ardhmen.
Kërcimet nga Ura e Fshajtë organizohen që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar. Pas një ndërprerjeje disa vjeçare, ato u rikthyen para një dekade dhe vazhdojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë garues, vizitorë dhe vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare, duke promovuar njëkohësisht edhe Urën e Fshajtë, monument të trashëgimisë kulturore dhe një nga simbolet më të njohura të Gjakovës./A.K/
